E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis në gjimnaze testimi provë për provimet e Maturës Shtetërore

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot se në gjimnazet e vendit ka nisur faza përgatitore e testimeve provë për provimet e Maturës Shtetërore.

Kumbaro tha se provimet janë në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe lëndët me zgjedhje, i ndërtuar sipas modelit zyrtar të Maturës Shtetërore.

“I gjithë procesi po organizohet me përpikëri nga qendrat e provimeve, duke respektuar çdo etapë dhe rregull, njësoj si në ditën reale të provimit”, tha Kumbaro.

Sipas Kumbaros, “kjo përvojë synon t’i njohë dhe t’i parapërgatisë maturantët me strukturën dhe kërkesat e provimit”.

“Paralelisht me masat për mbarëvajtjen e procesit, shkollat kujdesen që nxënësve t’u ofrojnë mbështetje, ndihmë dhe këshillim psiko-emocional nga Shërbimi Psiko-Social dhe ai Mjekësor i shkollave. Kjo përvojë i ndihmon maturantët të ndihen më të sigurt dhe më të përgatitur për provimet e Maturës Shtetërore dhe për të identifikuar pikat që kërkojnë përmirësim përpara provimeve përfundimtare”, tha Kumbaro.

Ndërsa, disa maturantë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë shprehen të emocionuar pas përfundimit të provimit duke u shprehur se kjo fazë parapërgatitore është çelësi për rritjen e vetëbesimit përpara provimeve finale në muajin qershor.

Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani gjatë një vizite në këtë gjimnaz në kryeqytet, duke iu drejtuar maturantëve u shpreh se kjo është përballje me një sfidë të vështirë.

“Unë e di që ka emocion gjithmonë, por atë që keni mësuar gjatë 12 viteve, është momenti ta realizoni tani”, tha Osmani.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›