Nis puna për kompleksin qeveritar, 10 studio prestigjioze në garë për zyrat e administratës

Një model i ri i menaxhimit të pronave publike ka marrë udhë këtë të martë. Qeveria shqiptare, nëpërmjet korporatës së investimeve ka hapur garën për krijimin e një kompleksi qeveritarë. Ky projekt parashikon krijimin e zyrave të reja të administratës publike. 10 studio prestigjioze do të paraqesin përpara jurisë ndërkombëtare projektet- idetë për zhvillimin e pronës. Në çeljen e konkursit, kreu i qeverisë Edi Rama, tha se shteti do të përfitojë nga këto projekte si pronarë trualli
“Faktikisht sot arkitektët janë thirrur të në ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike, ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë, për të gjitha kërkesat e tyre”, tha Rama
Por pse është i rëndësishëm ky proces?
“Institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, janë larg së qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët të cilët shërbehen nga këto institucione, janë larg së qenit të denja për kushtet në të cilat në fakt duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit”, tha ai.
Hapësira që pritet të zhvillohet është pranë parkut të delegacionit në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se çdo projekt i ri rrit vlerën e pronës në kryeqytet.
“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumohen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.
Korporata e investimeve është një institucion që ka në fokus menaxhimin pronave publike dhe jo vetëm, me qëllim transformim e tyre dhe zhvillimin e zonës. Në këtë rast shteti ofron pronat dhe fton investitorët për zhvillim. /vizionplus.tv