E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis rinumërimi i 1282 kutive për qarkun e Tiranës

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” ka vijuar sot procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës, ku do të numërohen të gjitha kutitë e votimit brenda vendit në 18 KZAZ.

Në total janë 1282 qendra votimi dhe rinumërimi përfshin si votat për subjektet politike, ashtu edhe ato për kandidatët individualë.

Pas përfundimit të qarkut të Tiranës, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.

Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.

Një ditë më parë u hapën 94 kuti për Gramshin dhe për Peqinin, në të cilat u krahasuan fletët e votimit me dokumentacionin zgjedhor përkatës.

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›