Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi sot se investimet mbeten një element thelbësor për avancimin e reformës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë proces si një prioritet të lidhur ngushtë me mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik dhe integrimin europian të vendit.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët francezë u bë e ditur se nisja e studimit të fizibilitetit për tri zona strategjike të vendit: Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan.
Këto zona përfaqësojnë rreth 65% të gjenerimit të mbetjeve urbane në Shqipëri.
Sipas ministrit Jaupaj, studimi synon të ofrojë skenarë konkretë dhe operativë për trajtimin e mbetjeve në të gjitha hallkat e zinxhirit, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për investime afatgjata në sektor.
“Fokusi ynë është i qartë: më shumë ndarje të mbetjeve në burim, më shumë riciklim dhe më shumë investime që mbrojnë mjedisin, shëndetin publik dhe promovojnë ekonominë qarkulluese”, u shpreh Jaupaj.
Ai nënvizoi se me miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, si dhe me krijimin e “AKEM” si një shoqëri aksionere shtetërore, është përmbyllur faza e parë e reformës në këtë sektor.
Ministri shtoi se hapi i radhës lidhet me konkretizimin e investimeve, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Kapitullit 27, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
1 nga 6/a.f/r.e/