Nis vaksinimi në Korçë, qytetarët të interesuar për vaksinën e gripit

Ashtu si në të gjithë vendin fushata e vaksinimit për gripin është duke vijuar edhe në qytetin e Korçës.
Në një prej qendrave shëndetësore mësojmë se qytetarët janë mjaft të interesuar për të kryer këtë vaksinë dhe kryesisht ata me sëmundje kronike apo të moshuarit. Vetëm në dy ditët e para në këtë qendër janë vaksinuar rreth 500 qytetarë.
“Shtimi i virozëve të stinës ka rritur interesin për vaksinën e gripit. Jemi të gjithë të prekur nga virozat por kryesisht më të prekurit janë moshat pediatrike, moshat e treta dhe ato me sëmundje kronike. Interes të veçantë kanë treguar dhe individët e shëndetshëm sepse e shohin si mënyrën më të mirë për mbrojtjen nga virozat. Deri tani jemi në 500 vaksina”, u shpreh Majlinda Myrtollari, Kryeinfermiere në Qendrën Shëndetësore 10 – 18.
Për bashkitë Korçë, Maliq dhe Pustec ka mbërritur dhe është shpërndarë një kontingjent prej 11 mijë dozash të vaksinës së gripit, ndërsa bluzat e bardha bëjnë apel që qytetarët të mos e neglizhojnë kryerjen e kësaj vaksine pasi i ndihmon për të kaluar lehtë dhe pa komplikacione virozat e stinës.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/