Nisin pagesat për subvencionet në Lushnjë, këtë vit 5 870 aplikime

Kanë nisur pagesat e para për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026. Në Lushnjë, rreth 70% e dosjeve të aplikantëve i është nënshtruar deri tani kontrollit administrativ, ndërsa për dosjet që rezultojnë të sakta vijon procesi i pagesës. Shqiponja Musaraj, përgjegjëse e Ekstensionit Bujqësor në Lushnjë, thotë se mbledhja dhe dorëzimi i dokumenteve mund të sjellë vonesa, ndaj apelon fermerët të tregohen të kujdesshëm me dokumentacionin.
“Kemi dhe 30% të aplikimeve që i kemi në dorë për të punuar. Kjo është dhe për efekt të dy tre problematikave. Njëra është mungesa e dokumentacionit pasi fermerët kanë pasur mundësi të aplikonin vetë, por skema këtë vit ka qenë pak ndryshe sepse në momentin e aplikimit nuk kishim akses të ataçimit të dokumentacionit dhe ataçimi i dokumentave po bëhet në fazën e kontrollit, pra në këtë fazë që ne jemi. Kjo na vonon në kohë pasi fermeri duhet të vijë të sjelli dokumentacionin”, deklaroi Musaraj.
Në Lushnjë janë kryer 5 870 aplikime , gati tre herë më ulët se një vit më pare. Kushti për sipërfaqen minimale prej 3 hektarësh ka bërë që fermerët të bashkohen.
“Duket si shifër pak e ulët, por në rast se do ta nisim si numër fermerësh, mund të themi që e kemi numrin thuajse gati të barabartë. Kjo për arsye sepse këtë vit nga kushti i sipërfaqes që duhej minimumi 3 hektar, fermerët ju dha mundësia për të bërë kontrata qeraje në njësitë administrative duke u bashkuar me njëri-tjetrin”, shtoi Musaraj.
Një tjetër kusht, që zbatohet për herë të parë këtë vit, lidhet me pagesën e sigurimeve shoqërore.
Ndërkohë, fermerët duhet të dorëzojnë edhe faturat e inputeve, të nevojshme për përfitimin e kompensimit dhe rimbursimit të TVSH-së.
/RTSH/