E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma “Tabaku” për nënat me fëmijë me aftësi ndryshe- Ministria e Ekonomisë: Nuk ka nevojë për ndryshime ligjore, rregullohet me VKM

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka propozuar një nismë për sa i përket nënave të papuna që kujdesen për fëmijët me sindromën Down ose me çrregullime të spektrit autik.

Me anë të këtij drafti, Tabaku kërkon që të njihet shërbimi i nënave ndaj fëmijëve si periudhë pune, për efekt të përfitimit të pensionit.

“Fëmijët që janë të spektrit të autizmit, njëkohësisht me sindromën Down, kanë nevojë për një kujdestar primar. Në pjesën më të madhe të rasteve këtë kujdestar e kryen nëna, të cilat detyrohen të heqin dorë nga tregu i punës. Ky kujdestar, që në shumicën e rasteve është nëna, duhet të ketë një pagesë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që më pas t’i llogaritet si një masë pensioni”, tha Tabaku.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Gentian Opre, theksoi se projektligji i propozuar është selektiv dhe nuk parashikon efektet financiare.

Drejtori i analizës shtoi se ligji aktual e ka të parashikuar që me vendim të Këshillit të Ministrave mund të deklarohen periudha të tjera të sigurimit dhe nuk është nevoja për ndryshime në ligj.

Nisur nga takimet e shumta në terren, Tabaku theksoi se është duke bërë gati një amendament, i cili përfshin të gjitha kategoritë me aftësi të kufizuara në draftligj.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›