“Nisma nuk kalon pragun”/ Zgjedhjet më 28 dhjetor, Arifi: Kosova nuk do ngelet pa qeveri

Analisti politik Valon Arifi tha se Kosova pritet të mos mbetet pa qeveri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke parashikuar një shumicë të qartë qeverisëse. I ftuar në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Arifi u shpreh se Nisma nuk pritet të kalojë pragun zgjedhor, ndërsa njëra nga palët politike do të sigurojë rreth 51% të votës për formimin e qeverisë.
Sipas tij, gjasat më të mëdha për të udhëhequr ekzekutivin i ka Lëvizja Vetëvendosje, e cila mund të përfitojë edhe nga vota e diasporës. Ai theksoi gjithashtu se partia e Ramush Haradinajt pritet ta kalojë sërish pragun zgjedhor, duke u bazuar në rezultatet e saj në nivel lokal, ndërsa vuri në dukje se ritmi i shpeshtë i zgjedhjeve brenda një viti mbetet një fenomen i veçantë në skenën politike të Kosovës.
“Nuk besoj se Kosova do të ngelet pa qeveri pas këtyre zgjedhjeve. Nisma nuk kalon pragun. Njëra palë do të ketë 51% e votës qeveritare. Gjasat më të mëdha i ka qeveria Vetëvendosja.
Edhe në këto zgjedhje Partia e Haradinajt nuk do e ketë të vështirë që të kalojë pragun zgjedhor sepse e njëjta parti, fitoi goxha komuna. Është interesante në Kosovë që zgjedhjet po përsëriten shumë shpejt brenda vitit. Diaspora mund të bëjë diferencën në favor të Vetëvendosjes”, tha Arifi./abcnews.al