E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Një Vatikan brenda Tiranës”, Rama: Do të shpallim shtetin sovran të Urdhrit Bektashi

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, në Shqipëri do të krijohet shteti më i vogël në botë. Një mikroshtet i stilit të Vatikanit për myslimanët Bektashi, kryegjyshata botërore e të cilëve ndodhet në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama, ka treguar planet e afërta që do të shpallë për entitetin i cili do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Për NYT, Rama ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet e mundur për të promovuar tolerancën fetare.

“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë. Një mikroshtet i moderuar islamik do të dërgonte një mesazh: Mos lejoni që stigma e myslimanëve të përcaktojë se cilët janë myslimanët”, tha Rama.

Qyteti do të krijohet në një hapsirë prej 27 hektarësh, sa ¼ e sipërfaqes së Vatikanit, dhe do të udhëhiqet nga kryegjyshi botëror Baba Mondi, i cili ka thënë se do të lejohet alkooli, do të lejohen gratë të veshin çfarë të duan, dhe nuk do të imponojë rregulla të stilit të jetesës.

“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj për prestigjozen  NYT. Sipas tij shteti i ri do të jetë Sovran dhe do të ketë administratën e tij.

“Madhësia e qytetit nuk ka rëndësi. Unë nuk kam nevojë të jem diktator. I vetmi kufizim domethënës në autoritetin tim do të jetë Zoti. Vetëm Zoti nuk bën gabime”, tha Baba Mondi.

Kryegjyshata botërore e bektashinjve, e themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, ndodhet aktualisht  në zonën lindore të Tiranës.

Në artikullin e NYT, Shqipëria përshkruhet si një vend i varfër, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar njerëzit ndërsa përmenden strehimi i hebrenjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo afganëve të ikur nga talebanët në 2021.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›