Një “brez i humbur” studentësh në Gaza, 90% e shkollave të shkatërruara nga lufta

Viti shkollor mund të ketë nisur zyrtarisht dje në territoret palestineze , por nuk pritet të funksionojë asnjë klasë e vetme ndërkohë që vazhdon pushtimi vdekjeprurës izraelit , i cili tashmë ka hyrë në muajin e tij të njëmbëdhjetë.
15-vjeçari Moataz, një nga pesë djemtë e Umm Zakiut, këtë vit do të ishte në klasën e dhjetë. Në vend të kësaj, për ditët e fundit ai ka jetuar në një tendë në Deir al-Ballah, në qendër të Gazës, dhe ka ecur një kilometër çdo mëngjes për të marrë ujë të pijshëm në kanaçe.
“Zakonisht kjo ditë ishte një ditë feste, duke parë fëmijët me uniformat e tyre të reja duke shkuar në shkollë dhe duke ëndërruar të bëhen mjekë dhe inxhinierë. Sot, gjithçka që dëshirojmë është që lufta të përfundojë para se të humbasim fëmijët tanë”, tha nëna e tij në një mesazh për Reuters.
Edhe nëse nuk do të kishte rrezik serioz për studentët për shkak të praktikës së Izraelit për të goditur shkollat që strehojnë civilë dhe fëmijë, ndjekja e mësimeve do të ishte ende e pamundur për një popullsi që lëviz vazhdimisht nga qytetet në “zonat humanitare”.
Ministria palestineze e Arsimit tha se 90% e shkollave në Gaza aktualisht janë “të shkatërruara pjesërisht ose plotësisht” dhe se asnjëra prej tyre nuk pritet të hapet së shpejti. Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Palestinezët (UNRWA) ka kthyer gjithashtu sa më shumë shkolla që mundet në qendra strehimi dhe kujdesi urgjent për familjet e zhvendosura.
Boshllëqet e të mësuarit
“Sa më gjatë të jenë fëmijët jashtë shkollës, aq më e vështirë do të jetë për ta që të plotësojnë boshllëqet e të mësuarit. Jemi në rrezik të shohim një brez të humbur që do të bëhet skllav i punës së fëmijëve dhe organizatave të armatosura”, tha Juliet Touma, drejtoreshë e komunikimit e UNRWA.
Përveç 625,000 të rinjve banorë të Rripit të Gazës që do të mungojnë në mësim këtë vit, 58,000 të tjerë gjashtëvjeçarë duhet të jenë në klasë të parë këtë vit, sipas shifrave nga ministria lokale e arsimit. Muajin e kaluar, UNRWA nisi një program “kthimi në të mësuar” në 45 nga strehëzat që menaxhon, duke ngritur grupe drame, pikture dhe sportive për të ndihmuar shëndetin mendor të fëmijëve të traumatizuar.
Pothuajse të gjithë rreth 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës u është dashur të lënë shtëpitë e tyre të paktën një herë që nga fillimi i luftës, me disa prej të cilëve kanë ndryshuar vendbanimin e tyre deri në dhjetë herë.
Edhe pse të dyja palët kanë diskutuar për konturet e një armëpushimi të mundshëm prej muajsh, asnjëra nuk duket e gatshme të bëjë lëshime të guximshme dhe cikli i dhunës vazhdon pa fund deri tani./vizionplus.tv