E Diel, 1 Nëntor 2026

Një goditje me thikë në gjoks i mori jetën, vrasja e 36-vjeçares shqiptare, dalin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore: Plagë në qafë, ka tentuar të mbrohet

Vdekja e 36-vjeçares shqiptare, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Pandeli Nakoleci të premten në mëngjes në Volos, u shkaktua nga një goditje me thikë në kraharor.

Trupi i gruas së ndjerë kishte gjithashtu një plagë të rëndë në qafë, e shkaktuar nga i njëjti mjet, si dhe plagë të tjera që tregojnë se ajo ka tentuar të mbrohet.

Këto u zbuluan nga ekzaminimi mjeko-ligjor i bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Selanik.

Sipas mediave greke, në trupin e saj u identifikuan edhe disa lëndime të tjera të ngjashme.

Të dielën në mëngjes, autori u dërgua para prokurorit nën masa të forta sigurie dhe me jelek antiplumb.

Ai akuzohet për vrasje me dashje.

Ndërkohë, Prokuroria ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm social, i cili do të kryhet nga Departamenti i Mbrojtjes Sociale i Bashkisë së Volosit, me qëllim që brenda javës të përcaktohet se kush do të kujdeset për tre fëmijët e mitur, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e familjes së nënës së ndjerë.

Është kërkuar gjithashtu të shqyrtohen të gjitha të dhënat që lidhen me shtrimin në spital të autorit, simptomat që ka shfaqur, kohëzgjatjen e qëndrimit dhe trajtimet që mund t’i jenë dhënë.

Çifti ishin prindër të katër fëmijëve, tre prej tyre të mitur. Krimi i rëndë ndodhi në prezencë të tyre./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›