Një histori e vjetër te Zurichu, një kapitull i ri te Kosova – kjo është e kaluara e Kamberit me Fodën

Lindrit Kamberi do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi për herë të parë është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës. Për mbrojtësin 27-vjeçar, kjo ftesë ka edhe një domethënie të veçantë, pasi në stafin e Dardanëve do të gjejë një trajner me të cilin ka punuar më herët te Zurichu, Franco Fodën.
Kapiteni i skuadrës zvicerane nuk e ka fshehur gëzimin për këtë mundësi. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ai ka treguar se vendimi për ta përfaqësuar Kosovën ishte i menjëhershëm dhe se ftesa përbën një moment të veçantë për të dhe familjen e tij.
“Për mua dhe familjen time është një ditë dhe moment shumë i veçantë. Kosova më ftoi dhe kjo është gjëja më e mirë. Për mua ishte vendim i shpejtë”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka folur edhe për raportin me përzgjedhësin Franco Foda, duke zbuluar se marrëdhënia mes tyre ishte e mirë edhe gjatë periudhës kur punonin së bashku në Zurich, pavarësisht rezultateve jo të kënaqshme të skuadrës.
“Kam pasur marrëdhënie të mira me Fodën, edhe pse nuk kishim suksese në fushë. Mezi pres të punoj sërish me të dhe padyshim se është lehtësim kur ke punuar për një kohë me një trajner. Dua të kontribuoj. Kam përvojë të madhe dhe vetëbesim. Do të mundohem të lë gjurmë”, ka thënë mbrojtësi.
Sa ndeshje luajti Kamberi nën drejtimin e Fodës?
Bashkëpunimi i tyre në Zurich zgjati për një periudhë të shkurtër, pasi Foda ishte emëruar trajner i klubit më 1 korrik 2022, ndërsa u largua më 21 shtator të po atij viti.
Gjatë kësaj kohe, Kamberi regjistroi 12 paraqitje nën drejtimin e trajnerit gjerman, në të gjitha garat. Ai luajti në gjashtë ndeshje të kampionatit zviceran dhe në gjashtë takime evropiane, përfshirë kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Në anën tjetër, gjatë periudhës së Fodës, Zurichu nuk kaloi një periudhë të lehtë. Në 18 ndeshje nën drejtimin e tij, skuadra regjistroi pesë fitore, tri barazime dhe dhjetë humbje.
Kamberi, i cili është pjesë e Zurichut që nga viti 2018 dhe ka kontratë edhe për dy vjet, tashmë synon ta bartë përvojën e fituar në futbollin zviceran edhe te Kosova, ku shpreson të lërë gjurmë që në paraqitjet e para./Telegrafi/