Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar porcionet pa peshuar ushqimin

Nuk është e nevojshme të peshoni çdo ushqim apo të numëroni vazhdimisht kaloritë për të pasur një kontroll më të mirë mbi mënyrën e të ushqyerit.
Një metodë e thjeshtë dhe praktike për të vlerësuar madhësinë e porcioneve është përdorimi i pëllëmbës, grushtit dhe gishtit të madh të dorës.
Kjo metodë, e zhvilluar nga kompania e këshillimit për ushqyerje “Precision Nutrition”, ndihmon në përcaktimin e sasive të përafërta të proteinave, perimeve, karbohidrateve dhe yndyrave në çdo vakt, pa pasur nevojë për peshore kuzhine.
Foto ilustruese
Sipas kësaj metode, pëllëmba e dorës përdoret për të matur porcionin e proteinave, si mishi, peshku dhe vezët.
Grushti shërben për të vlerësuar sasinë e perimeve, ndërsa dora e mbledhur në formë luge ndihmon në përcaktimin e porcionit të karbohidrateve, si orizi, makaronat, patatet dhe drithërat.
Ndërkaq, gishti i madh përdoret si masë për ushqimet që përmbajnë yndyra, si vaji, gjalpi dhe arrat.
Një nga përparësitë e kësaj metode është se mund të përdoret kudo, në shtëpi, restorant apo gjatë vakteve jashtë saj.
Gjithashtu, madhësia e dorës zakonisht është në përpjesëtim me përmasat trupore, duke e bërë këtë mënyrë më të lehtë për t'u përshtatur me individë të ndryshëm.
Përmes saj mund të bëhet edhe një vlerësim i përafërt i kalorive dhe makronutrientëve.
Për shembull, një porcion proteinash sa pëllëmba e dorës përmban rreth 130–145 kalori, ndërsa një porcion yndyrash sa gishti i madh rreth 90–100 kalori.
Vlerat ndryshojnë në varësi të ushqimit dhe mënyrës së përgatitjes.
Sasia e porcioneve duhet të përshtatet me nevojat individuale, aktivitetin fizik dhe qëllimet ushqimore.
Si udhëzim fillestar, një vakt mund të përmbajë një deri në dy porcione proteinash, një deri në dy grushte perimesh, një deri në dy porcione karbohidratesh dhe një deri në dy porcione yndyrash.
Megjithatë, kjo metodë nuk përfaqëson një plan universal ushqimor dhe as nuk zëvendëson llogaritjet e sakta kur ato janë të nevojshme.
Ajo shërben si një mënyrë praktike për të krijuar vakte më të balancuara dhe për të pasur një ide më të qartë mbi sasinë e ushqimit që konsumojmë çdo ditë. /Telegrafi/