Një rrugë me emrin e Remzi Hoxhës, Veliaj: Përjetësojmë njeriun që vrau Tirana politike

Një rrugë në Tiranë ka marrë emrin e Remzi Hoxhës, sipërmarrësit të njohur që u rrëmbye në vitin 1995, ngjarje e cila vijon të mbetet e pazbardhur. Kryebashkiaku Erion Veliaj i kërkoi ndjesë publike familjes së Remzi Hoxhës, i cili u zhduk nga SHIK-u në kohën kur president ishte Sali Berisha.
“Ky është një rast i pazakontë, pasi kryeqyteti po nderon dikë që e ka brengë në ndërgjegjen e tij. Pra, do të nderojë dhe përjetësojë dikë që e ka vrarë Tirana politike. Ky është rasti kur Tirana do të stampojë në kujtesën e saj, nevojën për reflektim që ka shoqëria jonë, e cila duhet të fiksojë në kujtesën e kryeqytetit jo vetëm heroizmat, arritjet apo njerëzit që e kanë bërë krenar, por edhe ato gjëra, si ky rast, që na ka bërë të ulim kokën”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se emërtimi i rrugës me emrin e Remzi Hoxhës, është një dëshmi se qyteti ka fuqi të pranojë gabimet e veta.
“Autorët e këtij krimi shtetëror, nuk dolën kurrë para drejtësisë në mënyrë të qartë për t’u dënuar. Një pjesë të së vërtetës tentuan ta fshehin dhe me procesin gjyqësor që u pa se ishte një farsë. Më pas disa nga autorët vdiqën, disa u arratisën pa gjurmë e të tjerë presin të përballen me drejtësinë majë ballkonit apo penxheres së tyre, por ndërkohë tashmë historia ua ka bërë gjykimin e tyre si vrasës”, u shpreh ai.
Remzi Hoxha, ishte një biznesmen dhe aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por u vendos në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav.
Më 21 tetor të vitit 1995 ai u rrëmbye në qendër të Tiranës dhe ndonëse ka kaluar më shumë se çerek shekulli, rrethanat e zhdukjes së tij mbeten të paqarta. /vizionplus.tv