Njëmbëdhjetë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë

Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur se në 12 orët e fundit janë regjistruar 72 vatra zjarri dhe prej tyre 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 të tjerë janë lokalizuar. “Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë”, ka thënë agjencia përmes një postimi në Facebook.
Ajo ka thënë se për ta shuar zjarrin në fshatin Gmicë e ka kërkuar edhe ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë. Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur. Situatë e rënduar me zjarre është edhe në vendet fqinje.
Në Mal të Zi është raportuar për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes. Sipas autoriteteve, ushtria, në bashkëpunim me autoritetet, është duke kryer hetime lidhur me incidentin.