Norvegjia kufizon përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shkolla

Qeveria e Norvegjisë ka njoftuar masa të reja që kufizojnë ndjeshëm përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale gjenerative në sistemin arsimor, duke vendosur një ndalim pothuajse të plotë për nxënësit e shkollave fillore.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, deklaroi se përdorimi i inteligjencës artificiale nga fëmijët e vegjël mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e aftësive bazë të të nxënit, si leximi, shkrimi dhe matematika.
“Gjëja më e rëndësishme në shkollë është që fëmijët tanë të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të bëjnë matematikë”, tha Støre gjatë një konference për shtyp.
Sipas rregullave të reja, të cilat do të hyjnë në fuqi me fillimin e vitit të ri shkollor në fund të muajit gusht, nxënësit e moshës 6 deri në 13 vjeç nuk do të lejohen, si rregull i përgjithshëm, të përdorin mjete të inteligjencës artificiale gjenerative në procesin mësimor.
Për nxënësit e moshës 14 deri në 16 vjeç, përdorimi i këtyre teknologjive do të lejohet në mënyrë të kufizuar dhe vetëm nën mbikëqyrjen e mësuesve, me synimin që të mësojnë përdorimin e tyre të përgjegjshëm.
Ndërkohë, të rinjtë e moshës 17 deri në 19 vjeç do të inkurajohen të zhvillojnë aftësi për përdorimin e duhur të inteligjencës artificiale, si pjesë e përgatitjes për studimet e larta dhe tregun e punës.
Vendimi vjen në një kohë kur autoritetet norvegjeze po përpiqen të përmirësojnë rezultatet në arsim. Në vitin 2024, qeveria vendosi gjithashtu ndalimin e telefonave inteligjentë në shkolla dhe u dha mësuesve kompetenca më të gjera për ruajtjen e disiplinës në klasa.
Autoritetet argumentojnë se teknologjitë e reja duhet të përdoren në mënyrë të balancuar, pa cenuar zhvillimin e aftësive themelore akademike të nxënësve.