“November”, kapet 49-vjeçari i kërkuar për vjedhjen e 30 mijë eurove

TIRANË, 4 korrik /ATSH/Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “November”, që çoi në kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për vjedhje me pasoja të rënda.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, në lidhje me vendndodhjen e shtetasit në kërkim.
Gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit A. Ç., 49 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, në nëntor të vitit 2024, shtetasi A. Ç. dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Xh. C. (i arrestuar) dhe me një shtetas tjetër (ende në kërkim), për të kryer një vjedhje në një banesë, nga ku janë marrë 30 mijë euro dhe sende me vlerë të konsiderueshme.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit të tretë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
/a.f//r.e/