E Hënë, 2 Nëntor 2026

Novi Sadi përkujton viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor

Novi Sadi i ka përkujtuar të dielën viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor, në dyvjetorin e shembjes së strehës që la 16 persona të vdekur në këtë qytet në veri të Serbisë.

Qytetarët e Novi Sadit mbajtën 16 minuta heshtje në orën 11:52, në nderim të bashkëqytetarëve të tyre që humbën jetën më 1 nëntor 2024.

Atë ditë, 16 persona vdiqën, ndërsa një grua e re u lëndua rëndë.

Tragjedia në Novi Sad nxiti protesta masive kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat çuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 25 tetor dhe si rrjedhojë rrëzimin nga pushteti të Qeverisë së ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Reklamë

Lista e Studentore mori pjesë në zgjedhje dhe fitoi më së shumti vota.Vuçiq dhe Partia Përparimtare Serbe humbën pushtetin pas 14 vjetësh.

Gjykimi për vdekjen e 16 personave ende nuk ka nisur, edhe pas dy vjetësh nga tragjedia.

“Drejtësia do të vihet në vend”

Përfaqësuesit e lëvizjes studentore deklaruan gjatë tubimit se fjala “tragjedi” nuk e përshkruan në mënyrë të përshtatshme atë që ndodhi më 1 nëntor 2024, pasi ajo nënkupton një aksident apo një ngjarje të rastësishme. Sipas tyre, pas kësaj fjale “mund të fshihet me mjeshtëri fjala që të gjithë po e kërkojmë, e ajo është përgjegjësia”.

“Prandaj, ne nuk i mbyllëm sytë dhe nuk heshtëm. Ngjarja që na tronditi të gjithëve deri në palcë nuk është tragjedi, nuk është aksident dhe nuk është rastësi. Është vrasje. E vrasja kërkon fajtorë, kërkon përgjegjësi dhe kërkon drejtësi”, deklaroi një studente në fjalimin e mbajtur nga skena e vendosur pranë stacionit hekurudhor.

“Dhe drejtësia do të vihet në vend, sepse vrasja kërkon fajtorë dhe përgjegjësit do të shpjegojnë para gjykatës se përse e zhytën vendin tonë në zi. Ndërsa ne, ne nuk do të harrojmë kurrë. Prandaj, në çdo përvjetor, në të gjitha qytetet, do të mblidhemi në orën 11:52 dhe, me heshtjen tonë të përbashkët, do të themi se i duam ata, i kujtojmë dhe se mungesa e tyre nuk do të kapërcehet kurrë”, tha studentja.

Në mesin e korrikut, Gjykata e Apelit në Novi Sad e konfirmoi aktakuzën për shembjen e strehës.

Ndër të akuzuarit janë ish-ministri i Ndërtimtarisë, Goran Vesiq, zëvendësja e tij, Anita Dimoski, dhe ish-drejtoresha e kompanisë Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë, Jellena Tanaskoviq.

Të tre akuzohen për vepër të rëndë penale kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Nebojsha Shurlan, gjithashtu ish-drejtor i kompanisë Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë.

Përveç tyre, edhe nëntë persona të tjerë akuzohen për vepër të rëndë penale kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me kryerjen e punimeve ndërtimore në kundërshtim me rregullat dhe në mënyrë të parregullt. Ndërkaq, Gjykata e Apelit i hodhi poshtë si të pabazuara ankesat e shtatë të pandehurve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›