E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi në Prishtinë: Kosova mbetet prioritet strategjik, thellohet bashkëpunimi në mbrojtje

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit nga homologu Ejup Maqedonci.

Në takim u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjatë takimit në Prishtinë, Nufi theksoi se Kosova mbetet një prioritet strategjik kombëtar për Shqipërinë, ndërsa nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe iniciativat rajonale të sigurisë.

“Angazhimi ynë për Kosovën është i palëkundur, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të sigurisë. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona është më i fortë se kurrë”, u shpreh Nufi.

Ministri evidentoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, duke e cilësuar atë një sektor kyç për forcimin e kapaciteteve dhe sigurisë kombëtare.

“Po hyjmë në një fazë të re bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, ku zhvillimi teknologjik dhe ai industrial do të ecin paralelisht me thellimin e marrëdhënieve tona strategjike”, theksoi ai.

Palët vlerësuan edhe bashkëpunimin e ngushtë mes Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar atë një shtyllë të rëndësishme për garantimin e sigurisë së përbashkët dhe stabilitetit në rajon.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›