E Premte, 6 Nëntor 2026

Nufi rendit investimet për modernizimin e FA-së: Sisteme raketore, artileri, dronë dhe mbrojtje ajrore - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2027 për Ministrinë e Mbrojtjes, duke raportuar gjithashtu mbi ecurinë e realizimit të buxhetit për vitin 2026.

Gjatë diskutimit në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”, Nufi theksoi rëndësinë e planifikimit dhe përdorimit efektiv të burimeve financiare për garantimin e sigurisë kombëtare dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura.

Sipas tij, gjatë vitit 2026 Ministria e Mbrojtjes ka vijuar zbatimin e prioriteteve të përcaktuara në dokumentet strategjike dhe programore, me synim përmirësimin e gatishmërisë operacionale dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Ministri bëri të ditur se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026 ishte mbi 69 miliardë lekë, nga të cilat mbi 56 miliardë lekë janë financim i brendshëm dhe mbi 13 miliardë lekë financim i huaj.

Duke iu referuar realizimit për periudhën aktuale, ai deklaroi se shpenzimet korrente kanë arritur në mbi 25 miliardë lekë, me një nivel realizimi prej 78,5%, ndërsa investimet kapin vlerën mbi 13 miliardë lekë, ose rreth 56% të planit.

Nufi vlerësoi se, “ritmi i realizimit të investimeve mbetet një nga sfidat kryesore të zbatimit të buxhetit”, ndërsa nënvizoi se Ministria e Mbrojtjes po punon për përshpejtimin e procedurave dhe orientimin e fondeve drejt projekteve prioritare.

Sipas tij, programet e mbështetjes sociale për ushtarakët dhe të mbështetjes për shtetësinë kanë shënuar nivelet më të larta të realizimit, përkatësisht 93,5% dhe 82,4%, ndërsa programi i mbështetjes me luftim është realizuar në masën 78,3%.

Ministri u ndal edhe te projektet me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur furnizimin e Forcave të Armatosura me sisteme raketore, helikopterë shumërolësh dhe vendosjen e sistemit Link 16, i cili do të mundësojë integrimin e plotë të kapaciteteve shqiptare në sistemet e mbrojtjes së NATO-s.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes ka forcuar monitorimin e projekteve dhe u ka kërkuar strukturave përgjegjëse të përshpejtojnë procedurat, me synimin që fondet e vëna në dispozicion të përdoren në mënyrë efektive dhe realizimi i buxhetit të arrijë në 100% deri në fund të vitit.

Nufi, bëri të ditur se gjatë këtij viti janë realizuar disa projekte të reja investimi, që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e pajisjeve e infrastrukturës ushtarake.

“Vëmendje e veçantë i është kushtuar gjithashtu rishikimit të strukturës së investimeve, me synimin që fondet të orientohen drejt projekteve me rëndësi strategjike dhe mundësi reale realizimi”, u shpreh Nufi.

Ndër projektet e realizuara dhe ato të rëndësishme për modernizimin e Forcave të Armatosura, ministri renditi pajisjen individuale të ushtarakëve dhe armatim sipas standardeve të NATO-s, blerjen e sistemit të artilerisë vetëlëvizëse, sistemit të granatave dhe avionëve luftarakë.

Po ashtu, ai përmendi sistemin e mbrojtjes ajrore me bazë tokësore, sistemet GIBAT, EMRAD dhe SHARAT, si dhe blerjen e dronëve dhe sistemeve kundërajrore për Forcat e Luftimit.

Investime parashikohen edhe në infrastrukturën ushtarake, përmes rivitalizimit të Bazës së Pashalimanit, ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse për korridorin përkatës dhe përmirësimit të objekteve në Zall-Herr, Valias, Shkodër dhe Përmet.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›