“Nuk do t’ia heq qafe Shqipërisë këtë projekt”/ Rama i përgjigjet protestave për Zvërnecin

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke i cilësuar ato si pjesë të një “lufte hibride” që synon të pengojë zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike në vend.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se çështjet mjedisore po përdoren për të nxitur kundërshtime ndaj projekteve të rëndësishme, ndërsa akuzoi grupe të caktuara se po manipulojnë opinionin publik.
Sipas kreut të qeverisë, protestat nuk do të ndikojnë në ecurinë e projektit, pasi investime të tilla janë të nevojshme për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e të ardhurave në ekonomi.
“Nuk kam asnjë arsye që me vetëdije t’ia heq qafe Shqipërisë këtë projekt”, deklaroi Rama, duke mbrojtur ndërtimin e resorteve luksoze në zonë.
Kryeministri reagoi edhe ndaj protestuesve që prej disa ditësh kanë zhvilluar tubime në Tiranë, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe dorëheqjen e tij. Rama tha se nuk ka ndërmend të dialogojë me ata që, sipas tij, janë “të kurdisur dhe të çartur”, por vetëm me qytetarët që e kanë votuar dhe që kanë shqetësime reale për mjedisin.
“Unë mishëroj vullnetin e 800 mijë shqiptarëve”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk do të lëvizë nga mandati që i është dhënë nga votuesit.
Në të njëjtën dalje publike, Rama përshëndeti edhe veprimet e SPAK lidhur me verifikimin e transaksioneve të tokave në Zvërnec. Sipas tij, ngrirja e fondeve të përfituara nga shitja e tokave është një hap pozitiv që do të ndihmojë në sqarimin përfundimtar të çështjeve të pronësisë.
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar prej disa ditësh, ndërsa aktivistë, banorë dhe organizata mjedisore kërkojnë anulimin e investimit, duke ngritur shqetësime për ndikimin në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.