E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk e kuptova çfarë godita”, zbardhet dëshmia e Petri Bozo pas aksidentit fatal në Elbasan

Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur në fshatin Mengël, në aksin Elbasan–Librazhd, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar pasi u përplas nga automjeti i drejtuar nga regjisori Petri Bozo.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë dëshmisë së tij, Bozo ka deklaruar se në momentin e aksidentit nuk e kishte kuptuar menjëherë çfarë kishte goditur me automjet.

Sipas tij, automjeti po lëvizte me shpejtësi të reduktuar për shkak të një kufizuesi shpejtësie në rrugë. Regjisori ka treguar se pasi ndjeu përplasjen, tentoi të shmangte mjetin dhe vetëm pasi zbriti nga makina kuptoi se kishte goditur një fëmijë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës së fshatit Mengël. Sipas dëshmive paraprake, 7-vjeçari kishte qenë duke ecur së bashku me të ëmën në drejtim të një dyqani, kur dyshohet se është shkëputur nga dora e saj dhe ka dalë në rrugë në momentin e përplasjes.

Ndërkohë, policia ka arrestuar Bozon për aksidentin me pasojë vdekjen e të miturit. Raportime paraprake flasin edhe për dyshime se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar në zonën ku ndodhi ngjarja, segment i pajisur edhe me vija të bardha për këmbësorët.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën dhe përgjegjësitë e aksidentit fatal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›