“Nuk janë kriminelë të zakonshëm, por ushtarët e një lufte private”/ Ç’ndodhi në gjyqin ndaj Franc Çopjas

“Ju nuk po gjykoni kriminelë të zakonshëm, por ushtarët e një lufte private”, deklaruan të hënën dy avokatet e palës civile para jurisë që në Bruksel po gjykon Franc Çopjan, Mikael Qosjan dhe shtatë të pandehur të tjerë për vrasjen e Ardit Spahiut, shtetas shqiptar i ekzekutuar në Molenbeek më 27 nëntor 2020.
Nga DH –
Sipas avokates Virginie Taelman, mënyra e veprimit për vrasjen e Ardit Spahiut ishte e njëjtë me atë të vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri në vitet pas fillimit të konfliktit mes klanit Alibej dhe klaneve Çopja e Qosja, konflikt që ka nisur në vitin 2017 ose 2018.
“Makina, burra, armë dhe breshëri plumbash. Është gjithmonë e njëjta skemë, këtu apo atje”, e përmblodhi ajo.
“Është e qartë se Ardit Spahiu u vra sepse ishte i afërt me klanin Alibej, pra klanin kundërshtar të klaneve Çopja dhe Qosja”.
Pala civile i kërkoi të hënën jurisë të shpallë Franc Gergelyn dhe Mikael Qosjan fajtorë si urdhërdhënës të vrasjes.
Ata janë dy “dhënësit e urdhrit” që kanë vepruar “mijëra kilometra larg” Brukselit.
Sipas palës civile, ata kanë përgatitur një “ekzekutim të planifikuar me metodë” të Ardit Spahiut.
“Forca e drejtpërdrejtë nuk mjaftonte” për të vrarë armikun e tyre, i cili e dinte se ishte i kërcënuar, shtuan dy avokatet. Për të arritur qëllimin e tyre, ishte e nevojshme “tradhtia e një miku”, rol që, sipas tyre, e ka luajtur Elton Roci.
Duke u mbështetur në fragmente bisedash nga Sky ECC, avokatja Virginie Taelman e përshkroi Franc Gergelyn, i njohur si Çopja, si “motorin e vrasjes” dhe “arkitektin që firmos planet nga kulla e tij e fildishtë”, i motivuar nga hakmarrja e klanit të tij, egoja dhe mendjemadhësia.
Ajo e përshkroi Mikael Qosjan si “shefin e kantierit”, i cili kujdesej për “menaxhimin e informatorëve”.
LEXO EDHE: “Jemi pa qitës”! Bisedat në SKY ECC/ Çopjat kërkonin të lironin nga burgu Altin Ndocin
Franc Çopja akuzohet si organizatori dhe porositësi i vrasjes, si dhe udhëheqës i një grupi të strukturuar kriminal. Sipas prokurorisë belge, ka kontrolluar trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Më 30 dhjetor 2023, ai u ekstradua nga Dubai në Belgjikë dhe prej atij momenti ndodhen në burgun e Haren.
Që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare.