E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk synojmë të bëjmë parti”-Altin Gjeta zbërthen misionin e Forumit për Dialog Politik

Politologu dhe njëherësh një nga themeluesit e Forumit për Dialog Politik ka deklaruar në emisionin “Tema e Ditës” se ky forum nuk synon të jetë një parti politike.

I pyetur se si lindi ideja për këtë iniciativë dhe nëse ky forum synon të  shndërrohet në një forcë politike, Gjeta tha se “jo, nuk ka asnjë lloj synimi apo objektivi që kjo iniciativë të shndërrohet në një lëvizje politike.”

Sipas tij, ky forum u themelua pas shqetësimeve të vazhdueshme mbi situatën ku gjendet vendi.

“Gjithsecili prej nesh është i angazhuar në profesionin e vet, apo në sipërmarrjen që drejton dhe ideja ka lindur nga biseda të gjata prej shumë kohësh mes nesh. Por jo vetëm mes nesh sepse ne kemi vendosur të shfaqemi në publik dhe ta udhëheqim këtë iniciativë por ka edhe njerëz të tjerë që nga mbështesin nga mbrapa, të cilët kanë një shqetësim gjithnjë e në rritje për faktin se Shqipëria po përballet me sfida shumë të mëdha; me korrupsionin i cili është i përhapur në mënyrë sistemike, me ndikimin e krimit të organizuar në vendimmarrjen publike, në ekonominë e vendit dhe këtë nuk themi, nuk thonë tashmë vetëm raportet ndërkombëtare të cilët palët politike kanë qejf t’i interpretojnë sipas orekseve të ditës, por ekspozohet nga drejtësia shqiptare”, u shpreh Gjeta.

Ai vuri në dukje më tej në Shqipëri ka nevojë për të diskutuar ccështjet e rëndësishme duke qenë se opozita nuk po arrin të kapitalizojë pakënaqësinë e një pjese të shqiptarëve dhe të shfaqet si një alternativë serioze për të qeverisur vendin.

“Ne kemi tani institucione autonome nga pushtete ekzekutiv që ka arritur të ekspozojë nivelet e larta korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Në një situatë të tillë opozita nuk ka arritur dot të kapitalizojë nga pakënaqësia që kanë qytetarët dhe nga degradimi në mënyrë të vazhdueshme i qeverisjes sepse ka mungesë besimi mes pjesës së madhe të shqiptarëve dhe opozitës për shkak se kjo e fundit ka probleme të thella të brendshme, por nuk ka arritur të bashkohet t’i japë besimin shqiptarëve si një alternativë serioze për të qeverisur Shqipërinë”, tha më tej Gjeta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›