Nuk vendosnin gjoba për shkeljet rrugore, Prokuroria e Elbasanit dërgon në gjyq 6 policë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Prokuroria e Elbasanit përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq gjashtë punonjës policie, shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. nën akuzë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria njoftoi se “në përfundim të një hetimit të plotë, të gjithanshëm duke përdorur dhe metodat proaktive të hetimit në bashkëpunim dhe me AMP, Dega Elbasan-Korçë, mbi procedimin penal të vitit 2024, u arrit të identifikohen disa raste të korrupsionit të punonjësve të policisë ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim mosndëshkimin e tyre administrativisht”.
“Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivisht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim”, njoftoi prokuroria.
Sipas Prokurorisë së Elbasanit “gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk procedonin me dashje me vendosjen e masës administrative duke dëmtuar interesat financiare të shtetit dhe interesin publik”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirrje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.