E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuredin Dumani rrëfen grabitjet: I morën 500 mijë euro dhëndrit të Agron Dukës. Kambistin e dhunuam në Elbasan

Nga Blerina Cene

Gjakftohtë, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani rrëfeu brenda gjykatës Antikorrupsion grabitjet ku ka qenë pjesëmarrës me bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm në krim.

Tronditëse ishte dëshmia e tij për episodin e grabitjes së gjysëm milioni euro, dhëndrit të deputetit të Partisë Agrare Ambientaliste.

“Po, në Shijak dhe në Vilbashtovë. Shtëpia ishte e dhëndrit të Agron Dukës. Sipas Dorian Shkozës dhe kishte mbi 500 mijë euro aty. Grabitja është bërë me makinën time tip ML. I kam heq targat dhe pjesë që të mos dukej se është e imja”, tha Dumani.

Nuredin Dumani thotë se për të grabitur një kambist në Elbasan, ata hasën në rezistencën e këtij të fundit, i cili nuk iu bind armës që ai i vuri në trup.

“E kishte organizuar Gentian Sharra. Kur e gjen kolegu punën, e studion dhe ai ka njëfarë sigurie sesa para ka me vete. Ai që e gjen punën, ka përgjegjësi, merr 10% më shumë, ose e ndajmë 50-50. Iu afrova i thashë ulu në tokë. Ai jo vetëm që nuk u ul, po më tha, gjuaj. Pastaj e qëllova një herë ose dy në gjoks. Pastaj një herë tjetër në kupën r gjurit. Pastaj ikëm në Durrës.Grabitja ka ndodhur në 2018. Kambistin e grabitëm sapo falej Namazi, se ishte Ramazan, pashë njerëz që shkonin në xhami, pranë Kalasë. Për fat të keq të tyre, gjithë kambistët dalin në të njëjtën orë”, u shpreh Nuredin Dumani.

Për këtë krim ai thotë se pasi bënë ndarjen e parave atij i takonin rreth 20 milionë lekë të vjetra. Ndërsa viktimat e këtyre grabitjeve Nuredin Dumani nuk i identifikoi pasi nuk kishte interes se kush ishin ata.

Nga rrëfimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, është hedhur dritë mbi ngjarje të rënda kriminale të pa zbardhura të 12 viteve të fundit. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›