E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënës nga Prishtina vizitojnë Kukësin, nderojnë dëshmorët dhe figurën e Hasan Prishtinës

Një grup nxënësish të një shkolle 9-vjeçare nga Prishtina zhvilluan një vizitë studimore dhe përkujtimore në Kukës, ku ndaluan fillimisht te Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e kombit.

Vizita vijoi pranë varrit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina ku nxënësit u njohën më nga afër me historinë e tij.

“Kemi ardhur të vizitojmë varret e dëshmorëve po ashtu edhe të Hasan Prishtinës në Shqipëri, Kukës”, u shpreh një nxënëse.

“Kemi ardhur këtu për të vizituar varret e dëshmorëve dhe të Hasan Prishtinës edhe do të vizitojmë edhe muze të tjera”, tha një nxënëse tjetër.

Drejtori i kësaj shkolle, njëherazi edhe mësues historie, vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla edukative, duke theksuar se mësimi i historisë për nxënësit është i rëndësishëm.

“Kemi filluar aktivitetet me nxënës e klasave të pesta, të cilët ndalesën e parë e bëmë në Kukës, në Varrezat e Dëshmorëve. Nxënësit duhet të fillojnë të dinë se çfarë ka ndodhur deri tek liria e tyre, sepse ata sot e gëzojnë lirinë”, tha Rustem Mehmeti, Mësues historie, drejtor i shkollës.

Vizita në Kukës u mbyll me mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e lidhjeve mes të rinjve shqiptarë kudo që jetojnë, nëpërmjet njohjes së figurave dhe ngjarjeve që kanë formësuar identitetin kombëtar.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›