Nxënëset e gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan, projekt për Festivalin e parë të Shkencës

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Nxënës të shkollave të mesme publike në të gjithë vendin janë të angazhuar intensivisht në përgatitjet për pjesëmarrjen në edicionin e parë të Festivalit të Shkencës për gjimnazistë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shembullin frymëzues të nxënëseve të gjimnazit “Dhaskal Todri” që po përgatiten për këtë festival.
Kryeministri Rama tha se Festivali i Shkencës është një nismë, e cila zhvillohet për herë të parë në shkollat tona, të mbështetura nga një tjetër grua e suksesshme në kërkimin dhe prodhimin e produkteve medicinale e kozmetike bio-organike.
Lindita Vrushi, pjesë e një qendre kërkimore shprehet se gratë dhe vajzat shqiptare mund të krijojnë projekte ambicioze, të cilat përcjellin dhe krijojnë produkte dhe gjithçka që i duhet më së miri jetës së shëndetshme apo mbrojtjes së mjedisit.
“Në grupin tim bashkëpunoj me vajza të gjimnazit “Dhaskal Todri”, të cilat bashkë me mësuesen e tyre që është këshilluese e karrierës ne mund të krijojmë kompaninë prodhuese në shkollë për produkte të kujdesit të shëndetit”, tha Vrushi, ndërsa theksoi se së bashku mund të krijohen projekte janë hapi i parë për krijimin e produkteve të shëndetshme.
Greisi Pajova, nxënëse e këtij gjimnazi në Elbasan, u shpreh se “projekti në bashkëpunimin me laboratorin kërkimor konsiston në prodhimin e një produkti bio-organik që e ka bazën në natyrë”.
Luena Zellari, një tjetër nxënëse shprehet se çdo gjë u bë e mundur falë mësueses së këshillimit të karrierës, e cila bëri të mundur që i gjithë projekti të shkonte në faza më të mëdha.
“Mua më pëlqen shkenca sepse më bën të kuptojë se si funksionojnë gjërat. Shkenca nuk është vetëm mësim, është provë, eksperiment, pyetje. Shkenca është interesante sepse lidhet me jetën e përditshme dhe atë që mund të bëjë në të ardhmen”, tha Ajla Çela.
Ndërsa, nxënësja Emili Gjoni pohoi se “shkenca e natyrës ka treguar që ne nuk jemi shkatërrues të natyrës, por mbrojtës së saj. Festivali i Shkencave është ajo që na e bën më të qartë këtë gjë”.
“Ndër gratë që më frymëzojnë më shumë është Mari Kyri, e cila pavarësisht vështirësive të kohës arriti që përmes dashurisë që kishte për shkencën të fitonte çmimin Nobel në dy fusha, në kimi dhe fizikë”, tha Nikol Kasa.
11 shkurti shënon Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë duke promovuar pjesëmarrjen e tyre të barabartë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
/e.i/j.p/