Nxënësit e shkollave të Shkodrës shprehin talentin përmes programit “Art dhe Zeje”

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Shkodër po zhvillojnë talentet e tyre përmes programit “Art dhe Zeje”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga panairi i organizuar me rastin e festës së 7 Marsit.
Rama tha se në këtë panair nxënësit shprehin talentin e tyre dhe zbulojnë prirjet përmes programit “Art dhe Zeje”.
“Në këtë javë që i kushtohet Mësuesit, Zyra Vendore e Arsimit Shkodër organizoi Panairin “Këshillim në Karrierë e Art dhe Zeje”, një aktivitet që mblodhi në një hapësirë të vetme kreativitetin, talentin dhe pasionin e nxënësve”, theksoi Rama.
Programi “Art dhe Zeje” zbatohet me sukses në mbi 200 shkolla në të gjithë Shqipërinë.
Ai ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në pikturë, vegla muzikore, zeje, teatër, sport, teknologji, etj.
/k.s/j.p/r.e/