Nxitën vijimin e tubimit përtej orarit duke shkaktuar bllokime, Policia e Tiranës procedon 16 protestues

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka vënë nën hetim 16 protestues, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kanë bllokuar rrugët e kryeqytetit gjatë protestës së djeshme.
Në njoftim thuhet se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me bllokimin e rrugëve në qytetin e Tiranës nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, nga strukturat e DVP Tiranë janë proceduar penalisht 16 shtetas.
Sipas Policisë, shtetasit janë: A. K., 46 vjeç, L. K., 33 vjeçe dhe A. Ll., 30 vjeçe, E. K., 32 vjeç, A. K., 30 vjeç, T. K., 24 vjeç, M. Y., 22 vjeç, Xh. D., 23 vjeç, S. T., 22 vjeç, I. Xh., 44 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 23 vjeç, A. D., 21 vjeç, S. Gj., 33 vjeç, A. K., 30 vjeç dhe E. L., 21 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Policia bëri me dije se po punohet për shoqërimin e shtetasve E. Q dhe M. C, të shpallur në kërkim policor.
Nga veprimet e deritanishme, dyshohet se këta shtetas kanë nxitur, nëpërmjet thirrjeve, pjesëmarrësit për ta vijuar tubimin përtej orarit të njoftuar nga organizatorët (18:00–22:00), duke mos respektuar perimetrin e njoftuar për këtë tubim. Si pasojë, është shkaktuar bllokim i qarkullimit të mjeteve dhe pengesë në lëvizje.
“Po nga veprimet e kryera, një pjesë e pjesëmarrësve në tubim janë futur në pjesën e fan zonës, në sheshin “Skënderbej”, të përshtatur dhe të destinuar për ndjekje të aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke bërë thirrje qytetarëve që ndiqnin aktivitetin sportiv që t’i bashkoheshin tubimit”, thuhet në njoftim.
Policia cilëson në njoftim se vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Dy ditë më parë u referuan materialet dhe filloi procedimi penal edhe për 19 shtetas të tjerë.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit që të respektojnë orarin, perimetrin dhe lëvizjen, për të mos bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve jashtë perimetrit që është njoftuar për zhvillimin e tubimit.
/e.i/j.p/r.e/