E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

OBRM-PDUKM: Pas kritikave ndaj Alta Bankës fshihen interesa biznesore të personave të afërt me LSDM-në dhe familjen Zaev

Partia në pushtet, OBRM-PDUKM ka drejtuar akuza të reja ndaj LSDM-së dhe liderit të partisë, Venko Filipçe, lidhur me rastin e Alta Bankës, duke pretenduar se pas kritikave dhe reagimeve të tyre publike fshihen interesa biznesore të personave të afërt me LSDM-në dhe familjen Zaev.

Nga partia në pushtet vlerësojnë se LSDM prej muajsh po e politizon temën e Alta Bankës, ndërsa, siç theksojnë, qëllimi i fushatës është krijimi i mosbesimit te qytetarët dhe dëmtimi i reputacionit dhe pozitës së bankës në treg.


Sipas OBRM-PDUKM-së, përmes presioneve ndaj Bankës Popullore dhe Alta Bankës po krijohen kushte për marrjen e saj me çmim më të ulët nga qarqe biznesi të afërta me Filipçen dhe familjen Zaev. Për këto pretendime, partia i referohet edhe deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Dimitrijeviq, lidhur me pagesën e pensioneve për shfrytëzuesit e Alta Bankës.

Nga OBRM-PDUKM e akuzojnë LSDM-në për përhapje paniku ndër qytetarët dhe për keqpërdorim politik të rastit, duke shtuar se, sipas tyre, pas reagimeve publike qëndrojnë interesa private ekonomike.

Nga partia porosisin se qytetarët nuk duhet të frikësohen për pagesën e pagave dhe pensioneve dhe sigurojnë se gjatë qeverisjes së udhëhequr nga Hristijan Mickoski ato do të paguhen rregullisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›