E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Jo numërimit elektronik në 2013-ën

TIRANE- Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it ka kundërshtuar propozimet e bëra nga politika shqiptare për numërim elektronik të votave dhe kontroll të kartave të identitetit në qendrat e votimit. Sipas këtij misioni, përdorimi i teknologjisë së re nuk mund të futet që në zgjedhjet e 2013-ës, madje, nga ekspertët e këtij misioni propozimi i bërë nga PS është quajtur “i nxituar”. 

Ndërkohë, bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri tha dje, për “Gazeta Shqiptare” se: “me shkrim nuk na ka ardhur asnjë material nga ODIHR-it. Ky lajm ka dalë nga mediat e qeverisë dhe me sa duket PD kërkon të mbajë Ristanin dhe këtë qeveri për të vjedhur sërish votat”.
Media vizive zbuloi dje, draftin e grupit të ekspertëve të ODIHR-it, të cilët pasi kanë analizuar dhe komentuar punën e deritanishme të komisionit të reformës zgjedhore, kanë hedhur poshtë dy nga ndryshimet më të rëndësishme që janë bërë këtë herë në Kodin Zgjedhor dhe që mendohet të aplikohen që në zgjedhjet e vitit që vjen. Vëzhguesit e ODIHR-it mendojnë se përveçse i nxituar propozimi i PS-së është edhe i pasigurt dhe i paqëndrueshëm.

 Ndaj edhe ky si proces, vlerësohet prej tyre si i parealizueshëm për vitin që vjen. ODIHR rekomandon të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje. Grupi i ekspertëve rekomandon përdorimin e teknologjisë në zgjedhje vetëm nëpërmjet projekteve pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale. Në këtë pikë, sipas ODIHR-it, kuadri ligjor duhet të jetë i detajuar, i saktë dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Komisionit të reformës zgjedhore i mbeten edhe 3 ditë, bashkë me ditën e sotme që është pushim, për të diskutuar dhe për të vendosur në lidhje me këtë pikë, pas kundërshtimeve të bëra nga ODIHR. Në datën 15 maj, mandati i këtij komisioni përfundon, dhe më tej asgjë nuk mund të shtohet në reformën elektorale.
Pak ditë më parë, dy partitë e mëdha patën një mosdakordësi në lidhje me procedurën e hapjes së kutive të votimit. 

Sipas PS-së, PD u tërhoq në pjesën ku bëhej fjalë për verifikimin e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit në rast se kjo kërkohet. Ndërsa nga ana e demokratëve u tha se ishte futur një formulim dhe që bën ndryshim rrënjësor për një nga momentet e numërimit. Sipas ekspertit të PD-së, Oerd Bylykbashi, “është rënë dakord që materiali zgjedhor të mos numërohet ose të mos hapet në qendrën e numërimit, përveç rasteve kur konstatohen mangësi dokumentare, dhe materiali zgjedhor do të hapet në komisionin e zgjedhjeve vetëm kur do ketë ankim dhe kur materiali zgjedhor përmban provat që kërkon”. Megjithatë, palët kanë punuar edhe dje, deri vonë, në zyrat e OSBE-së, për t’i dhënë dorën e fundit materialit, në këto ditë që kanë mbetur tashmë për të mbyllur reformën zgjedhore.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›