OMAN – Nis raundi i katërt i negociatave SHBA -Irani mbi programin bërthamor

OMAN, 11 maj /ATSH-DPA/ – Raundi i katërt i negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbi programin bërthamor të diskutueshëm të Teheranit filloi në Oman.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, u takuan përsëri në Muscat.
Araghchi e përshkroi raundin si “vendimtar” për përparimin e bisedimeve, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.
“Nëse është vetëm çështja e armëve bërthamore, ne mund t’i qetësojmë shqetësimet dhe atëherë një marrëveshje është sigurisht e mundur, por një ndalim i pasurimit nuk është i negociueshëm”, shtoi ai.
Ai u bëri thirrje amerikanëve që të formulojnë qartë qëndrimet e tyre në negociata, në vend që t’i komunikojnë ato “në një mënyrë kontradiktore” përmes medias.
‘’Irani do të vazhdojë vetëm në bazë të interesave të tij kombëtare, përndryshe do të jetë problematik”, shtoi ai. /os/