E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSHEE mirëpret brezin e ri, portali i punësimit ofron më shumë se një mundësi

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Një fushatë e re për punësimin e elektriçistëve pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është hapur së fundmi për të rinjtë e interesuar në të gjithë vendin.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau historitë e disa prej të rinjve të cilët kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur për të punuar pranë OSHEE-së, tashmë si lexues të matësve.

“OSHEE mirëpret brezin e ri. Portali i punësimit është një dritare që ofron më shumë se një mundësi, ofron besim tek të rinjtë që duan të japin kontributin e tyre, të mësojnë, të rriten dhe të bëhen pjesë e një misioni të rëndësishëm. Koha për profesionistë të rinj që kanë dëshirën dhe pasionin për të qenë në shërbim të qytetarëve”, tha Balluku.

Të rinjtë e përfshirë në këtë nismë tregojnë se kanë aplikuar në portalin e OSHEE-së, janë përzgjedhur dhe tashmë kanë nisur punën. Denis Lame, një prej tyre, që aktualisht punon si lexues në zonën e Lapragës, i fton të gjithë të rinjtë të aplikojnë, duke theksuar se OSHEE ofron shumë mundësi.

Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve për të fuqizuar sektorin e energjisë dhe për të krijuar vende të reja pune për të rinjtë në vend.

Kjo është thirrja e tretë e hapur për punësimin e elektriçistëve gjatë vitit 2024, pas thirrjeve të mëparshme në tetor 2023 dhe maj 2024. Në thirrjen e parë u pranuan 60 elektriçistë të rinj, ndërsa në thirrjen e dyte kompania deklaroi 240 vende të reja pune. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›