E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH plan pesëvjeçar investimesh, siguri furnizimi dhe ulje e humbjeve në rrjet

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë planin 5-vjeçar të investimeve 2023–2027, me një vlerë totale mbi 48 miliardë lekë. Nga këto, 42,4 miliardë lekë janë fonde të OSSH-së, ndërsa rreth 6 miliardë lekë sigurohen nga projekte me kapital të huaj, të mbështetura nga KfW, BERZH dhe Kooperacioni Italian.

Plani, synon rritjen e sigurisë së furnizimit, uljen e humbjeve dhe modernizimin e infrastrukturës në të gjithë vendin. Investimet e vetë kompanisë janë rreth 50% më të larta se plani i mëparshëm.

Sipas relacionit, një pjesë e konsiderueshme e investimeve do të shkojë për fuqizimin e nënstacioneve ekzistuese dhe ndërtimin e nënstacioneve të reja, zgjerimin e rrjetit 35 kV, rikonstruksionin e rrjetit 20 kV si dhe kalimin gradual nga rrjetet 10 kV dhe 6 kV në standardin 20 kV, për të rritur sigurinë dhe cilësinë e furnizimit. Po ashtu, parashikohen investime në rrjetet e tensionit të mesëm dhe të ulët, ndërtimi i kabinave të reja dhe rikonstruksioni i atyre ekzistuese.

Komponent i rëndësishëm i planit është modernizimi teknologjik dhe përmirësimi i sistemit të matjes, përmes pajisjeve të reja që rrisin saktësinë, sigurinë dhe reduktojnë humbjet komerciale.

Investimet me kapital të huaj përfshijnë zgjerimin e sistemit SCADA, rikonstruksionin e nënstacioneve 110 kV në rajonin Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e nënstacionit të Kamzës.

OSSH vlerëson se plani 2023–2027 është strategjik për rritjen e sigurisë së furnizimit, digjitalizimin e rrjetit dhe përgatitjen e sektorit të shpërndarjes për integrim të mëtejshëm në tregjet rajonale të energjisë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›