“Onkologjiku” përfundon në SPAK, mjekëve dhe personave të tjerë u shtohet edhe akuza e korrupsionit

Prokuroria Antikorrupsion rëndon pozitat e mjekëve të spitalit Onkologjik që bënin pazar me jetët e pacientëve me sëmundje tumoriale.
Burime për Vizion Plus konfirmojnë se SPAK dyshon që ata dhe nëndrejtoresha e Spitalit Onkologjik kanë kryer korrupsion dhe kontrabandë me ilaçet e të prekurve nga kanceri.
Kështu, doktori Edmond Gashi, që u largua me vrap nga Gjykata Penale pasi u njoh me masën e sigurisë, onkologia Alketa Pere, nëndrejtoresha Brikena Qirjazi dhe katër zyrtarët shtetërorë e privatë mund të dënohen me 8 vjet heqje lirie vetëm për korrupsion.
Por jo vetëm kaq, pasi organi i akuzës së kryeqytetit, e drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj i hetoi ata për shpërdorim detyre, ç’ka e çon në tre numrin e akuzave që rëndojnë mbi ta.
Një javë më parë, i njëjti prokuror shpalli moskompetencën dhe e dërgoi dosjen në Prokurorinë Speciale pasi gjeti elementë të grupit të strukturuar kriminal, por në nisje të hetimeve SPAK nuk e ka konsideruar skemën si organizatë kriminale.
Do të jenë hetimet e drejtuara nga prokurori Elvin Gokaj që do të zbulojnë nëse të shtatë personat kanë kryer veprat e mësipërme penale dhe nëse i kanë konsumuar si në kuadër të grupit të strukturuar me role të përcaktuara.
Më 26 qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut. Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që dërgohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Nga hetimet u zbulua se në Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret kjo aparaturë duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës, por pajisja, sipas akuzës, u vendos jashtë kushteve teknike./vizionplus.tv