E Diel, 1 Nëntor 2026

Open Stage, dita e tretë, FSHF: Talente nga e gjitha bota

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Seleksionimet e futbollistëve të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit vijuan këtë të mërkurë me ditën e tretë në “Shtëpinë e Futbollit”.

Pjesëmarrës në këtë seleksionim ishin rreth 100 futbollistë të vitlindjes 2010, të cilët u vëzhguan nga afër nga të gjithë trajnerët e moshave të ekipeve Kombëtare së bashku me stafet e tyre përkatëse si edhe stafi i Drejtorisë Teknike.

Këto seleksionime po i ndjek nga afër edhe zëvendëstrajneri i ekipit kombëtar A, Ervin Bulku. Në një prononcim për fshf.org, trajneri Bulku vlerëson pjesëmarrjen e futbollistëve të vegjël nga e gjithë bota si mjaft të kënaqshme ndërsa nënvizon edhe rëndësinë e këtyre ditëve seleksionimi.

“Sot është dita e tretë e seleksionimeve. Duke e marrë nga dita e parë dhe deri më sot, kemi një pjesëmarrje shumë të kënaqshme të lojtarëve që kanë ardhur nga e gjithë bota, jo vetëm nga Europa. Ne në fakt kemi organizuar edhe seleksionime në Amerikë, i fundit në muajin qershor. Këto seleksionime janë shumë të rëndësishme për të gjitha grupmoshat, pasi i shërbejnë të gjitha ekipeve kombëtare të moshave dhe trajnerëve që të kenë një ide sa më të qartë duke i parë dhe duke i ndjekur të gjithë lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionate dhe ekipe të ndryshme”, tha Bulku.

Sipas tij, kjo është një mundësi e artë për të gjithë fëmijët, futbollistët që kanë ëndërr të veshin fanellën e ekipit kombëtar, pasi kanë mundësinë të tregojnë cilësitë e tyre sot këtu.

Të hënën, të martën dhe sot u zhvilluan seleksionimet për lojtarët e vitlindjeve 2009, 2010, 2011 ndërsa më 16 dhjetor do të zhvillohet seleksionimi me lojtarët e vitlindjes 2012. /j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›