E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacion antidroge/ Aksion i përbashkët i Prokurorisë së Breshias dhe SPAK

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Policinë e Shtetit, kanë goditur një grup të trafikut ndërkombëtar të drogës, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në Itali dhe në Shqipëri, pas një hetimi pesëvjeçar të prokurorisë së Breshias për aktivitetin kriminal të grupit.

Në Shqipëri janë arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e këtij grupi, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas SPAK, ndër të arrestuarit është edhe Igli Haxhiaj, ish-oficer i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit dhe aktualisht oficer i Antiterrorit. Ai dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete hetimore në favor të grupit të trafikut të drogës, në këmbim të pagesave.

Gjykata e Breshias ka lëshuar gjithsej 24 masa sigurie, ndërsa në Itali janë vënë në pranga 10 persona.

Sipas SPAK, grupi i strukturuar kriminal dyshohet se ka importuar lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt veriut të Europës, e më pas e ka transportuar me automjete të tonazhit të rëndë drejt Italisë.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi shumë të madhe kokaine, mbi 1300 kilogramë. Pasi hynte në territorin italian, kjo sasi dyshohet se shpërndahej në gjashtë baza logjistike operative të ngritura nga grupi kriminal në zona të ndryshme të Italisë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 550 mijë euro cash, 10 automjete, një pistoletë, si dhe 130 kilogramë të tjera lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, të cilat në treg do të kishin një vlerë prej rreth 12 milionë eurosh./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›