Operacion policor kundër lojërave të fatit në Prizren - arrestohen disa persona

Disa persona janë arrestuar në një aksion të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, i zhvilluar të mërkurën mbrëma në disa lokacione në Prizren, Dragash dhe Suharekë.
Aksioni është realizuar në kuadër të një operacioni hetimor kundër aktiviteteve të kundërligjshme të lojërave të fatit, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Lajmin për arrestimet e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit, i cili ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë duke u intervistuar.
“Pas intervistimit, prokurorët kompetentë do të vendosin për secilin rast veç e veç”, ka deklaruar Bytyqi.
Më herët, zëdhënësi i Policisë kishte konfirmuar se operacioni po zhvillohej nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkëpunim me stacionet policore dhe njësitë e tjera të Policisë në Rajonin e Prizrenit.
Detaje të tjera lidhur me numrin e saktë të të arrestuarve dhe rezultatet e operacionit pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të veprimeve hetimore, në koordinim me Prokurorinë kompetente./Telegrafi/