E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion policor në Durrës dhe Shijak, zbulohen armë zjarri dhe municione luftarake, 3 në pranga

Goditen 2 raste të armëmbajtjes pa leje në Durrës. Blutë e qytetit bregdetar kanë vënë në pranga 3 persona, dy prej të cilët u kapën duke lëvizur me automjet, në hyrje të qytetit për të shitur një pistoletë me 2 krehra dhe fishekë.

Ndërsa personit tjetër iu gjet në banesë një kallashnikov, një granatë mbrojtëse, 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.

“Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike, duke poseduar ose shitur armë zjarri, me qëllim kryerjen e ngjarjeve kriminale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”. Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:

-L. D., dhe A. M., të dy banues në Lezhë, të cilët u kapën duke lëvizur me automjet, në hyrje të qytetit të Durrësit, dyshohet për të shitur një armë zjarri (pistoletë) me 2 krehra dhe fishekë. Arma dhe municioni u gjetën në çantën e pasagjerit, shtetasit L. D., të cilit iu gjet dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa; -D. T., pasi gjatë kontrolleve në banesë në fshatin Shtrazë, Shijak, iu gjetën 1 armë zjarri (kallashnikov), 1 granatë mbrojtëse (me ndezës të montuar), 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›