Operacioni “Again”, arrestohet një 26-vjeçar, kërcënoi policinë me armë zjarri

Një operacion i rrezikshëm policor i koduar “Again” u finalizua me sukses në Korçë, duke çuar në arrestimin e një 26-vjeçari që kërcënoi me jetë punonjësit e Policisë me armë zjarri.
Operacioni u ndërmor nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë. Policia kishte marrë informacion se shtetasi me inicialet R.L., një person me rrezikshmëri të lartë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, kishte siguruar sërish një armë.
Gjatë ndërhyrjes, 26-vjeçari ka refuzuar të hapë derën e banesës dhe ka kërcënuar me jetë oficerët. Pas thirrjeve të vazhdueshme dhe një ndërhyrjeje profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij në flagrancë.
Si provë materiale, Policia sekuestroi një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, si dhe municion luftarak. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
/rtsh.al/