E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Rolet”, kapen 5 persona në kamionë në Portin e Durrësit, njëri i dënuar me 7.5 vite burg në Itali

Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rolet”, duke arrestuar dy shoferë kamioni dhe duke ndaluar pesë persona që po tentonin të largoheshin ilegalisht nga Shqipëria, të fshehur në kamionë. Gjatë verifikimeve, u zbulua se njëri nga personat e fshehur ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Shtetasi i kërkuar, Indrit Lleshi (alias Ibrahim Lleshi), 34 vjeç, ishte dënuar nga Gjykata e Ankonës, Itali, me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Arrestimi i dy shoferëve, G. Xh. 48 vjeç, dhe E. B. 45 vjeç, banues në Tiranë, erdhi si rezultat i kontrolleve të imtësishme nga shërbimet e Policisë Kufitare. Falë një informacioni operativ, policia arriti të zbulojë 5 shtetas shqiptarë të fshehur në dy kamionë, të cilët synonin të dilnin ilegalisht jashtë shtetit.

Pas ndalimit, u bënë verifikime të mëtejshme, duke shkëmbyer informacion me strukturat homologe të Interpolit në Tiranë dhe Romë. Këto verifikime nxorën në dritë dosjen e rëndë kriminale të 34-vjeçarit Indrit Lleshi.

Përveç arrestimit të dy shoferëve dhe ndalimit të pesë personave, Policia sekuestroi dy kamionët, mjetet e identifikimit të personave dhe disa celularë.

Indrit Lleshi u arrestua provizorisht dhe pritet ekstradimi i tij drejt Italisë për të vuajtur dënimin.

Materialet procedurale të këtij rasti i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të vazhdojë hetimet për veprimet e mëtejshme ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›