E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “The Wanted”/ Në pranga 3 persona të dënuar për trafik droge në Korçë

Policia e Korçës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “The Wanted”, duke arrestuar tre shtetas të shpallur në kërkim, të cilët ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me shpërndarjen e drogave të forta në qytet.

Të arrestuarit rezultojnë të jenë të dënuar secili me mbi 7 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa ishin në kërkim në kuadër të operacionit të mëparshëm “Knock Down 2”.

Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në të dhëna operative dhe informacione të siguruara në rrugë konfidenciale.

Të arrestuarit janë:

J. Xh., 29 vjeç, banues në Korçë – i dënuar me 7 vjet burgim, nga të cilat i mbeten për të vuajtur 2 vjet, 10 muaj e 15 ditë;

P.K., 34 vjeç, banues në Korçë – i dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim, me 2 vjet, 1 muaj e 16 ditë të pashlyera;

E.C., 35 vjeç, banues në Korçë – i dënuar me 8 vjet burgim, nga të cilat i mbeten 3 vjet, 4 muaj e 20 ditë.

Të tre shtetasit ishin shpallur në kërkim pas veprimtarive të tyre kriminale në fushën e narkotikëve dhe u lokalizuan në qytetin e Korçës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›