Operacioni “The Wanted”, ekstradohen tre shtetas nga Gjermania dhe Italia

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Interpol Tirana ekstradoi nga Gjermania dhe Italia tre shtetas të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ndihmë për kalim të paligjshëm dhe korrupsion.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me homologët, specialistët e Drejtorisë së Interpolit, finalizuan procedurën për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Ibrahim Anxhara alias Ibrahim Potka, 27 vjeç.
Në vitin 2024, Gjykata e Korçës e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e gjysmë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po ashtu u krye ekstradimi nga Milano (Itali) i shtetasit Samoel Terolli alias Jetmir Hysenaj, 46 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në qershor të vitit 2023, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Po nga Italia u krye ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Genci Balla, 51 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi Genci Balla ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë një funksion publik”.
/m.m/r.e/