Operacioni “Trageti” në Durrës, kapen 798 steka cigare kontrabandë dhe një armë AK-47

Një operacion i përbashkët i Policisë Kufitare të Durrësit, Seksionit për Hetimin Ekonomik dhe Financiar dhe autoriteteve doganore ka çuar në goditjen e dy rasteve të tentativës për futjen kontrabandë të cigareve në Shqipëri përmes Portit të Durrësit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Trageti”, një 34-vjeçar është arrestuar në flagrancë, ndërsa përgjegjësi i hotelerisë së një trageti është proceduar penalisht.
Sipas policisë, bazuar në informacionet operative se në një automjet po transportoheshin sasi të mëdha cigaresh pa pullë fiskale, shërbimet e Policisë kaluan për kontroll të detajuar një automjet me drejtues shtetasin E.B., 34 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 548 steka cigare pa pullë fiskale, të padeklaruara pranë autoriteteve doganore dhe pa dokumentacion shoqërues.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike tip AK-47.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, kontrollet vijuan edhe në një traget, ku në ambientet e hotelerisë u zbuluan të fshehura edhe 250 steka të tjera cigare, të cilat dyshohet se do të futeshin kontrabandë në vend.
Në total, autoritetet sekuestruan:
- 798 steka cigare pa pullë fiskale;
- një armë automatike AK-47;
- një automjet;
- dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua shtetasi E.B., i akuzuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.
Ndërkohë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” u procedua penalisht edhe shtetasi E.S., 34 vjeç, me detyrë përgjegjës i hotelerisë së tragetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.