E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni/ Vidhte sendet e pushuesve nëpër shezlongë dhe automjete, arrestohet 42-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar një 42-vjeçar i cili vidhte nëpër shezlongë dhe automjete sendet personale të pushuesve. Blutë bëjnë me dije se i arrestuari ishte shpallur në kërkim edhe për vjedhje të tjera të kryera më parë.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Durrës, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga këqyrja e kamerave dhe në prova të tjera të siguruara gjatë hetimit, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Manzë, u finalizua operacioni policor i koduar “Sendet”.

Në kuadër të operacionit, u bë kapja e shtetasit në kërkim I. B., 42 vjeç, banues në Manzë, Durrës, i dënuar më parë po për vjedhje dhe i shpallur në kërkim për vjedhje të tjera.

Nga hetimet e kryera dhe nga analizimi i pamjeve filmike, rezulton se ky shtetas është autor i vjedhjeve nëpër shezlongë të sendeve personale të pushuesve, si dhe i vjedhjes së një automjeti në Shkozet, Durrës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi në fushën e vjedhjes së pronës, pasi dyshohet si autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë në territorin e qarkut Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, njoftoi policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›