Opozita çon në SPAK Ballukun, PD: I shkaktoi shtetit 180 mln euro dëm me shit-blerjen e energjisë

Partia Demokratike kërkon nga SPAK-u të hetojë numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun për korrupsion në procesin e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike.
Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi para gazetarëve sqaroi se ka depozituar në prokurorinë e posaçme informacione të cilat sipas tij provojnë se ministrja e energjisë Belinda Balluku nëpërmjet skemës së shitblerjes së energjisë, në harkun kohor të një viti i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 180 milionë eurosh.
“Me raportimin e të dhënave të pasakta për të fshehur abuzimin dhe keqmenaxhimin e rrjetit të energjisë, me tregtimin e paligjshëm jashtë bursës të energjisë elektrike, me mosmarrjen e masave për të parandaluar shkeljen e ligjit dhe këtë skemë gjigande korruptive, Belinda Balluku dhe të gjithë drejtorët e saj kryesorë në fushën e emergjisë kanë sjellë një dëm vetëm për vitin 2023 prej mbi 180 milionë euro”, tha Bardhi.
Bardhi ka shpjeguar si ka përllogaritur PD korrupsionin i cili sipas saj ka vlerën e 180 milionë euro. Sipas opozitës KESH vitin e kaluar ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej rreth 6 milionë euro.
Po sipas PD 10 milionë euro dëm buxhetit i është shkaktuar si pasojë e vendimit të KESH për të shitur energji jashtë bursës me çmim më të lirë se në bursë.
“Nga verifikimet e bëra prej ekspertëve tanë, KESH ka fallsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari”, u shpreh ai.
Sipas PD KESH ka blerë energji edhe kur Shqipëria kishte tepricë prodhimi, duke shkaktuar dëm prej 22 milionë euro. Ndërkohë që korrupsioni më i madh sipas Bardhit qëndron te manipulimi për humbjet e energjisë në rrjet.
“Nga përllogaritjet e ekspertëve rezulton se humbjet faktike janë në nivelin 27.2% për tensionin e ulët dhe 1.3% për tensionin e lartë, duke sjellë, vetëm për vitin 2023, një vlerë totale të humbjeve prej 144 milionë eurosh”, deklaroi Bardhi.
Sipas Gazment Bardhit Belinda Balluku si ministre e energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë ndaj SPAK-u duhet të nisë hetimin për të treguar se realisht në Shqipëri nuk ka të paprekshëm. /vizionplus.tv