E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita kërkon komision hetimor për 11 Majin, Vokshi: Pa zgjedhje të lira s’ka të ardhme. Manja: Pretendimet janë halucinacione politike

Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se ky hetim është i domosdoshëm për të siguruar transparencën e procesit zgjedhor.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka deklaruar se komisioni duhet të shërbejë për të hetuar gjithçka që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit dhe për të përdorur gjetjet për amendamente ligjore, si dhe për përmirësimin e procesit zgjedhor në komisionin për Reformën Zgjedhore.

Vokshi ka paralajmëruar se nëse mazhoranca refuzon ngritjen e komisionit, kjo do të jetë një pranimin se zgjedhjet janë vjedhur.

“Bëni transparente atë që kanë ndodhur dhe të gjitha gjetjet t’i përdorim për propozime ligjore, amendime ligjore dhe që t’i përdorim edhe në komisionin e ri të reformës. Ne sot kërkojmë një komision hetimor jo për PD, por për Shqipërinë, sepse pa zgjedhje të lira nuk ka ekonomi, nuk ka drejtësi, nuk ka të ardhme. Ky komision është testi i vërtetë i demokracisë në Shqipëri. Nëse ju e refuzoni këtë komision, ju keni pranuar se keni vjedhur zgjedhjet”, tha Vokshi.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, tha se kërkesa është e bazuar në konstatime dhe pretendime pa asnjë provë konkrete për ndërhyrje të administratës publike në procesin zgjedhor. Ai ka akuzuar opozitën për përdorimin e “halucinacioneve politike” në vend të fakteve dhe provave konkrete.  

“Kërkesa mbështetet mbi konstatime politike, pa shoqëruar me prova që dëshmojnë ndërhyje të administratës publike në procesin zgjedhor. Punonjësit e Administratës Publike nuk mund të sulmohet padrejtësisht me vulën e militantizmit politik. Gjatë periudhës zgjedhore nuk është zhvilluar asnjë proces i ri punësimi në Administratën Publike. Pretendimet janë të bazuara në deklarata e halucinacione politike dhe jo prova dhe fakte konkrete. Këto pretendime nuk ishin as në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Objekti i kërkesës përfshin çështje që tashmë janë objekt i punës së reformës së posaçme zgjedhore”, tha Manja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›