E Martë, 3 Nëntor 2026

Opozita “rrethon” Bashkinë, protesta e radhës kundër Erion Veliajt

Opozita dhe aleanca për mbrojtjen e teatrit zhvilloi sot protestën e 8 para bashkisë së kryeqytetit duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt.

Protestuesit qëlluan me vezë e mollë godinën e bashkisë si dhe hodhën molotovë në shenjë revolte ndaj çështjeve korruptive për të cilat SPAKU po heton drejtues dhe ish- drejtues të bashkisë se kryeqytetit. Belind Këlliçi,  i cili denoncoi i pari dosjen e njohur me emrin  “5D” ku drejtues të bashkisë përfitonin tendera për kompaninë e tyre, akuzoi Erion Veliajn se është i përfshirë në të gjitha aferat korruptive e duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe penale.

“Çfarë ka ndodhur këtë javë. Kemi zbuluar me fakte dhe dokumente, dy hajdutë të tjerë Arben Maloku ka marrë 70 milion euro , Kujtim Qefalia ka marrë 55 milionë euro tendera e leje ndërtimi. Kur dy drejtues kanë marrë kaq shumë para, imagjinoni sa ka marrë Erion Veliaj me bandën 5D”, tha Këlliçi.

Sipas Këlliçit, SPAKU e ka marrë në hetim kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për pasurinë.

 “Ti sot me të vërtetë ke halle po hetohesh nga BKH dhe SPAKU për pasurinë tënde dhe familjarëve të tu, ti që rrahe gjoksin pak javë më parë dhe the që ke punësuar në bashki 11.600 punonjës, i bie që një në 66 qytetarë punon në bashki, e imagjinoni çfarë i ka bërë ky qytetit”, tha ai.

Por protestuesit këtë herë akuzuan Erion Veliaj edhe për ceremoninë e martesës që u zhvillua mes dy grave në tarracën e bashkisë së kryeqytetit, duke e cilësuar si një përpjekje për të shkatërruar institucionin e familjes në Shqipëri.

 “Pasi shkatërroi trashëgimin e qytetit, e patë pak ditë më parë si tentoi edhe të shkatërrojë insitucionin e familjes, ky njeri po shkatërron çdo gjë në këtë qytet”, u shpreh Këlliçi.

Protesta u mbyll pas 90 minutash  dhe opozita lajmëroi se protestuesit do të mblidhen sërish të martën e ardhshme para bashkisë. /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›