Orkestra Simfonike e RTSH koncert festiv për 8-Marsin, Marsela Çibukaj interpreton këngët më të bukura shqiptare për nënën

Tingujt e muzikës simfonike dhe emocionet kushtuar figurës së gruas mbushën sallën në një koncert të veçantë të organizuar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Mbrëmja muzikore solli në skenë një program të përzgjedhur nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë, duke rikthyer në vëmendje disa prej veprave që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës sonë. Interpretimet simfonike u ndërthurën me emocione të thella artistike, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese për publikun e pranishëm.
Një nga momentet kulmore të koncertit ishte interpretimi i këngëtares Marsela Çibukaj, e cila solli në skenë disa nga këngët më të njohura shqiptare kushtuar nënës. Me timbrin e saj të veçantë dhe interpretimin plot ndjenjë, ajo përcolli emocione të forta te publiku.
“Është një magji që përjetohet shumë rrallë dhe ne artistët kemi herë pas here nevojë për këtë energji të bukur. Kjo krijohet kur me shumë dashuri, me shumë profesionalizëm bashkohet një vlerë kombëtare siç është ajo e Orkestrës Simfonike me këngën moderne ku unë u ftova për të interpretuar dhe u mundova ta bëja atë me gjithë shpirt. Më vjen shumë mirë që salla sot ishte me të vërtet plotë me spektatorë që na vlerësuan, këtë mbrëmje dhe këtë homazh për gruan”, u shpreh këngëtarja Marsela Çibukaj.
“Ky koncert pati për qëllim që materiale orkestral dhe materiali i këngës të ngjiten bashkë dhe punuam shumë mirë me Marselën. Ajo ishte shumë e kujdesshme për ta bërë edhe skenarin të tillë që ti bashkonte bashkë”, u shpreh Drejtoresha e Orkestrës Simfonike të RTSH, Blerta Ristani.
Koncerti u konceptua si një homazh për figurën e gruas dhe nënës, duke përcjellë një mesazh mirënjohjeje për rolin, sakrificat dhe dashurinë që gratë ofrojnë çdo ditë në familje dhe në shoqëri. Mbrëmja u shoqërua me duartrokitje të gjata nga publiku.
/rtsh.al/